Poezi, Pietro La Barbera(Përktheu: Angela Kosta), Moderator, Dhjetor 19, 2024 – 16:01, Përditësuar: Dhjetor 19, 2024
Poezi, Pietro La Barbera(Përktheu: Angela Kosta), Moderator, Dhjetor 19, 2024 – 16:01, Përditësuar: Dhjetor 19, 2024
Pietro La Barbera(Përktheu: Angela Kosta) – Orfeu.AL
PIETRO LA BARBERA
Pietro La Barbera ka lindur në maj të vitit 1966 në Casacalenda (Campobasso – Itali). Në kohën e lirë ai ushtrohet si: skenarist (ka më shumë se 35 vepra personale të vëna në skenë), aktor, spiker radioje dhe lexues librash, me Florencën (gruan e tij), duke ua përkushtuar kohën fëmijëve në librarinë “Giunti” në Campobasso, në mënyrë që të përcjellë pasionin e tij për leximin dhe dëgjimin. Pietro krijon vepra teatrale, ashtu sikurse edhe Teatrin “Al Buio – Në Errësirë”. Ai ka qenë në kontakt me aktorë të njohur të kohërave tona; Jurist i Çmimit Kombëtar Letrar “Costa Edizioni” dhe i Çmimit Kombëtar Letrar “Francesco Giampietri”. Ka marrë pjesë në shumë emisione televizive dhe ka botuar libra të ndryshëm, por pasionet e tij të mëdha të vërteta janë: radioja, intervistat e komunikimi përmes dëgjimit reciprok. Për vite me rradhë, Pietro ka drejtuar dhe drejton shumë emisione në Radio të ndryshme, duke promovuar vazhdimisht artin dhe letërsinë.
Së bashku me Florencën (bashkëshorten e tij, e cila është e verbër) si dhe Rosanna M., që nga prilli i vitit 2019, ata vazhdojnë të realizojnë projektin: La Voce del Buio” (58) – La voce del buio – Zëri i Errësirës – YouTube), kushtuar të verbërve dhe njerëzve me vështirësi në lexim.
Pietro është fitues i Çmimeve ndërkombëtare për angazhimin e madh në promovimin kulturor të “bukurisë” në kuadër të: Çmimit Ndërkombëtar të Letërsisë “Dr. J. Manuel Equihua Estrella” 2024, Panorama International Literature Festival (2022), dhe Panorama International Literature Festival (2024).
DASHURI PA KUFIJ
Dua të të shoh sërish, prandaj nuk të dua.
Largësia jote më bën të vuaj, prandaj nuk të dua.
Dua që ti të jesh e imja, tërësisht e imja,
prandaj nuk të dua.
E dua bukurinë tënde, trupin tënd,
ëmbëlsinë tënde, inteligjencën tënde,
prandaj nuk të dua.
Dëshiroj të të pëlqej, të kem vlerësimin tënd, konsideratën tënde, prandaj nuk të dua.
Do të doja që edhe ti të kishe nevojë për mua,
që të më doje ashtu siç të dua unë,
prandaj nuk të dua.
Të dua më shumë se çdo gjë tjetër në botë, prandaj nuk të dua.
Jo, nuk të dua, nuk di ende të të dashuroj,
sepse e ndjej se dashuria nuk është dëshirë,
as ankth, as vuajtje, as lidhje, as xhelozi.
Sepse dashuria nuk mund të ketë objekt,
as seks, as moshë, as kohë, as kufij.
Sepse e gjithë kjo i përket individit, jo dashurisë.
Jo, nuk të dua, sepse nuk ka dashuri
kur ka ende një “Unë” dhe një “TI”.
Sepse dashuria nuk njeh fragmente dhe kufij.
Kur të të dashuroj si lulja që takoj në lëndinë,
si yjet që shndrisin në qiell,
si pulëbardha që fluturon mbi det,
si lypësi në cep të rrugës,
si gjithë njerëzimi që njoh e nuk e njoh,
vetëm atëherë do të jetë Dashuri e vërtetë.
O SHPIRT I MADH
O Shpirt i Madh,
që zërin ta dëgjoj në fllade
nga ku frymë i jep jetë gjithë botës,
dëgjomë!
Përballë teje vij, një nga fëmijët e tu të shumtë
jam i vogël dhe i dobët
kam nevojë për forcën dhe diturinë tënde.
Lërmë të eci mes gjërave të bukura
dhe bë që sytë e mi të admirojnë perëndimin e kuq e të artë.
Bë që duart e mia të respektojnë atë që TI krijove,
dhe veshët e mi të jenë të mprehtë për të dëgjuar zërin tënd.
Më bëj të mençur, që të njoh gjërat që i ke mësuar popullit tim,
leksionet që fshehe në çdo gjethe, në çdo shkëmb.
Kërkoj forcë, jo për të qenë superior ndaj vëllezërve të mi
por të jem i zoti të luftoj armikun tim më të madh:
Vetveten!
Bë që unë të jem gjithmonë i gatshëm të vij tek Ti,
me duar të pastra dhe sy të drejtë,
kështu që kur jeta të zbehet si drita në perëndim të diellit,
Shpirti im të vijë tek Ti pa pasur turp.
DERI SA…
Deri sa individi i lejon pikërisht mendjes
të mbajë mendime
urrejtjeje – dënimi
zilie – xhelozie
kritike – frike
dyshimi – hamendjeje
dhe u lejon këtyre mendimeve të gjenerojnë irritim
brenda tij, do të marrë si rezultat të qartë:
çrregullsi dhe palumturi në jetën e tij,
zhgënjim në ëndrrat e tij,
fatkeqësi në mendjen e tij,
në trupin e tij, në ambjentin
me të cilin është lidhur me fije të holla
aksionesh dhe reagimesh.
Deri sa njeriu vazhdon t’i mbajë këto mendime
negative në mendjen e tij, kundrejt:
personave që i gjenden pranë,
kushteve të jetesës, punës,
njerëzve të dashur, kombit,
ai vetë, i pavetëdijshëm,
i detyron energjitë e tij të krijojnë situata negative,
të cilat me mendim i tërheq dhe i ushqen.
Vetëm ai është përgjegjës për palumturinë e tij
dhe për palumturinë në të cilën tërheq edhe të tjerët.
Pra është është përgjegjës i “Asaj Grije”
që rëndon mbi botë e që ai vetë është i pari që e dënon.
Përktheu: Angela Kosta Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese
Lascia un Commento
Vuoi partecipare alla discussione?Sentitevi liberi di contribuire!